Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli i ka cilësuar akuzat e PD-së se ushtria po përdoret për transportin e narkotikëve si deklarata të bëra për konsumim dhe përfitim politik.
Duke folur në konferencën me temë "Shqipëria 5 vjet anëtare e NATO: impakti kombëtar, rajonal si dhe sfidat e së ardhmes" të organizuar nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, ministrja Kodheli u shpreh se ka përfunduar koha e ushtrimit të presionit politik ndaj FA-së.
Gjithashtu Kodheli ndërsa vlerësoi edhe bashkëpunimin e forcave politike kur bëhet fjalë për NATO-n, shtoi se politika duhet të jetë bashkë edhe në shumë çështje të tjera të rëndësishme.
Ndërsa kryetari i PD, Lulzim Basha, tha se vullneti politik i aleancës për zgjerim dhe reformat e ndërmarra nga Shqipëria, në konsolidimin e shtetit ligjor, garantimin e demokracisë funksionale, institucioneve të pavarura, lirisë së tregut bënë të mundur që Shqipëria të bëhet anëtare e NATO-s.
Basha është ndalur në fjalën e tij tek sfida që ka përpara Shqipëria, anëtarësimi në BE, ashtu si për anëtarësimin në NATO, sfida mbetet shteti ligjor, demokracia funksionale, institucione të forta, demokratike, përgjegjshmëri demokratike para zgjedhësve, një treg i lirë funksional, sistem funksional i kontrollit dhe balancave mes pushteteve.
Kryetari i PD, Lulzim Basha ka vlerësuar në fjalën e tij edhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke i konsideruar ato si burim krenarie për PD-në, si në qeveri ashtu edhe në opozitë. Që nga shtatori i vitit 2013, FA janë të integruara plotësisht në aleancë dhe kjo konfirmon suksesin e plotë të reformimit të tyre.
Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe pavarësia e Kosovës, sipas zotit Basha kanë mbyllur një nga dilemat kyçe të sigurisë dhe paqes në Europën Juglindore. Duke u ndalur tek ngjarjet e fundit në Ukrainë dhe agresionin rus, z. Basha ka hedhur poshtë çdo paralele të hequr mes Krimesë dhe Kosovës, sikundër ka theksuar detyrimin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s, për të marrë përgjegjësitë e kartës së anëtarësimit. Basha ka shprehur qëndrimin për vazhdimin e politikës së dyerve të hapura të NATO-s.
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu kërkoi miratimin sa më shpejtë të strategjisë së mbrojtjes pasi sipas tij nu ka prova bindëse për vonesa.